Çfarë është polica e sigurimit Kasko?
Për ta kuptuar rëndësinë e sigurimit Kasko, duhet të kemi parasysh shembullin vijues. Të gjithë e dimë se çdo automjet i regjistruar për qarkullim duhet të jetë i siguruar, pra që për të marrë vulën në policinë e trafikut duhet të keni policë. Megjithatë, vetëm pak veta e dinë saktësisht çfarë lloj police është ajo dhe nga çfarë na siguron.
Polica për regjistrim është në fakt polica e sigurimit nga përgjegjësia e automjeteve, që do të thotë se me të sigurohet përgjegjësia juaj si shofer në rast se i shkaktoni dëm një personi të tretë. Në atë rast, në vend të jush si shkaktar, shpenzimet e riparimit i mban shoqëria e sigurimit.
Por kush do ta riparojë automjetin tuaj?
Polica e përgjegjësisë së automjeteve vlen vetëm për automjetin e të dëmtuarit, e jo për automjetin e shkaktarit. Pikërisht këtu del në pah rëndësia e policës Kasko. Polica Kasko i mbulon dëmet ekskluzivisht në automjetin e të siguruarit, të shkaktuara si pasojë e fajit të tij ose të të tjerëve, ose e force madhore.
Polica e përgjegjësisë së automjeteve – i mbulon shpenzimet e riparimit të automjetit të huaj të cilit i keni shkaktuar dëm me automjetin tuaj, në vend të jush.
Polica e sigurimit Kasko – i mbulon shpenzimet e riparimit të automjetit tuaj
Cilat rreziqe mbulohen me sigurimin Kasko?
Me Kaskon mund ta mbroni automjetin tuaj nga shkatërrimi ose dëmtimi i shkaktuar nga rreziqet vijuese:
Aksident rrugor, vjedhje dhe marrje e kundërligjshme, veprime të dashakeqa, zjarr, goditje rrufeje, shpërthim, rënie ose goditje e një objekti mbi automjet, fatkeqësi të motit (stuhi, përmbytje, breshër, ortek), demonstrata dhe protesta.
Në varësi të paketës së zgjedhur të sigurimit Kasko, polica juaj do t’i mbulojë të gjitha ose një pjesë të këtyre rreziqeve. Kuptimin e saktë të këtyre rreziqeve, cilat situata mbulohen me to dhe përjashtimet nga sigurimi mund t’i gjeni në Kushtet e sigurimit, të cilat siguruesi është i detyruar t’jua japë për shqyrtim gjatë lidhjes së sigurimit.
Është e rëndësishme të dini saktësisht çfarë mbulon polica juaj që të mos keni keqkuptime me shoqërinë e sigurimit në rast të ngjarjes së dëmshme.
Si përcaktohet çmimi i policës?
Çmimi i policës varet nga parametrat vijues:
- Çmimi i blerjes së re të automjetit
- Mbulimi i zgjedhur i sigurimit (pra paketa që do ta zgjidhni)
- Nëse polica do të jetë me ose pa franshizë (pjesëmarrje e të siguruarit në dëm)
- Zbritjet që mund t’i merrni nëse nuk keni pasur dëme vitet e fundit dhe nëse polica e përgjegjësisë së automjeteve është në shoqërinë ku e merrni Kaskon.
Çfarë të bëni në rast dëmi?
Në rast dëmi të ndodhur nga një rrezik i mbuluar me policën Kasko, dhe veçanërisht kur dëmi është shkaktuar nga zjarri, shpërthimi, vjedhja, marrja e kundërligjshme, vandalizmi dhe aksidenti rrugor për të cilin nuk mund të përdoret procesverbali evropian që përdoret për dëme të vogla – në mënyrë të detyrueshme e paraqitni menjëherë në polici. Shënimi ose procesverbali i policisë është dëshmia më e mirë në bazë të së cilës shoqëria e sigurimit do të japë bazë për pagesën e dëmit dhe prandaj, përveç në rastin kur mund të bëhet procesverbal evropian, gjithmonë thirrni policinë.
Ndërkohë, ndërmerrni të gjitha masat që mund t’i ndërmerrni për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme dhe për heqjen ose zvogëlimin e dëmit. Dëmin e paraqitni në mënyrë të detyrueshme edhe te shoqëria e sigurimit, më së miri menjëherë, e më së voni brenda 3 ditëve nga ndodhja e dëmit. Deri në inspektimin nga përfaqësuesi i shoqërisë së sigurimit mos ndërhyni në pjesët e dëmtuara.
Pas paraqitjes së dëmit, nga shoqëria e sigurimit do të merrni udhëzime për veprimin e mëtejshëm. Më shpesh, pas inspektimit dhe vlerësimit nga shoqëria e sigurimit, ju drejtojnë në një servis të autorizuar për riparimin e automjetit, shpenzimet e të cilit i mbulon shoqëria. Nëse polica juaj Kasko është me franshizë, atëherë ju keni detyrimin ta mbuloni vetë atë pjesë deri në lartësinë e franshizës (më shpesh 200 ose 400 euro).
Ekziston mundësia që automjetin ta riparoni vetë ose në një servis të zgjedhur prej jush dhe në atë rast shoqëria do t’ju ofrojë një shumë të caktuar, e cila, nëse pajtoheni me shumën, do t’ju paguhet drejtpërdrejt në llogarinë tuaj transaksionale.
Çfarë të bëni në rast dëmi total ose vjedhjeje?
Në rastin kur automjeti është vjedhur ose riparimi është ekonomikisht i pa-arsyeshëm (riparimi kushton më shumë se vlera e tregut e automjetit), llogaritet dëmshpërblim i barabartë me vlerën e tregut të automjetit në atë moment, nga i cili zbritet franshiza (nëse ka) dhe vlera e pjesëve të ruajtura.
Kur nuk keni të drejtë dëmshpërblimi sipas policës Kasko?
Në kushtet e sigurimit shënohen përjashtimet nga sigurimi dhe është e rëndësishme t’i njihni ato. Më shpesh këto përjashtime kanë të bëjnë me rastet kur automjeti drejtohet në kushte të palejuara me ligj – pra nën ndikimin e alkoolit, drogës ose substancave të tjera psikotrope, si dhe në rast lufte, aktesh terroriste ose shpërthimi bërthamor.
Çfarë nëse e shisni automjetin ndërkohë që Kaskoja është ende e vlefshme?
Të drejtat nga polica Kasko nuk transferohen te pronari i ri në rast se e shisni automjetin. Por, mund ta ndërpresni policën kur e shisni automjetin dhe atëherë keni të drejtë të ktheheni mjetet për ditët e papërdorura të policës. Prandaj, nëse po blini një automjet të përdorur dhe shitësi si përparësi e thekson zotërimin e një police Kasko, është e rëndësishme të dini se ajo nuk do të transferohet te ju si pronar i ri.