Bazat e sigurimit – çfarë duhet të dini
Çfarë është sigurimi?
Kur keni një detyrim financiar, si blerja e një shtëpie / banese me kredi bankare, ju “rezervoni” një pjesë të të ardhurave tuaja të ardhshme. Nëse ndodh një fatkeqësi (invaliditet), ose krijohet një situatë ekonomike e pafavorshme për ju, aftësia juaj për të përmbushur detyrimet financiare zvogëlohet dhe mundësia për të humbur pasurinë e fituar bëhet reale. Për t’u mbrojtur nga humbje të tilla dhe nga lloje të tjera humbjesh, ekziston një instrument financiar që mund ta blini dhe që quhet sigurim.
Sigurimi është një mjet që ofron mbrojtje në rast se diçka e padëshiruar ju ndodh juve dhe familjes suaj, ose pasurisë suaj të luajtshme dhe të paluajtshme (sendet personale, shtëpia, banesa, automjeti etj.). Sigurimi blihet duke lidhur një kontratë sigurimi (policë).
Si funksionon sigurimi?
Të gjithë të siguruarit e paguajnë primin e tyre në një fond të përbashkët te shoqëria e sigurimit. Sa më shumë të siguruar të ketë shoqëria e sigurimit, aq më i madh është fondi i përbashkët. Sa herë që një klient kërkon pagesën e një dëmi, pagesa bëhet nga fondi i përbashkët. Pasuria juaj është e ekspozuar ndaj rrezikut të llojeve të ndryshme të humbjes (zjarr, përmbytje, aksident rrugor, vjedhje etj.). Çmimi i sigurimit, pra primi, varet nga vlerësimi i rrezikut në përputhje me kushtet e sigurimit të përcaktuara nga shoqëria e sigurimit.
Sigurimi i jetës
Sigurimi i jetës është mbulim me të cilin siguruesi detyrohet, në bazë të primeve të sigurimit të paguara, t’i paguajë të siguruarit (përfituesit të sigurimit) shumën e siguruar në rast vdekjeje, mbijetese ose shfaqjeje të sëmundjeve të rënda. Ky sigurim mbron ju, fëmijët dhe prindërit tuaj ose anëtarët e familjes. Periudha e mbulimit zakonisht është më e gjatë se një vit dhe ju keni zgjedhjen ta paguani primin çdo muaj, çdo tremujor, çdo gjashtë muaj ose çdo vit, për sa kohë është në fuqi kontrata e sigurimit.
Produktet kryesore të sigurimit të jetës janë:
- sigurimi në rast vdekjeje (sigurimi i rrezikut)
- sigurimi në rast mbijetese, sigurimi në rast vdekjeje dhe mbijetese (sigurimi i përzier)
- sigurimi i përjetshëm në rast vdekjeje
- sigurimi me rentë
- sigurimi me rrezik investimi (sigurimi i jetës në lidhje me pjesë në fonde investimi)
- sigurimi me kthim të primeve etj.
Çfarë është e rëndësishme kur lidhni një kontratë sigurimi të jetës?
Nëse lidhni një kontratë sigurimi të jetës ku i siguruar është një person i tretë, për vlefshmërinë e plotë të kontratës nevojitet pëlqimi me shkrim i atij personi.
Për jetën e një personi mund të lidhen disa kontrata sigurimi të jetës me siguruesa të ndryshëm dhe përfituesi ka të drejtë të marrë pagesën e shumave të siguruara në bazë të secilës prej tyre, në përputhje me kontratat e sigurimit të lidhura. Personat me gjendje shëndetësore të cenuar mund të sigurohen
me kushte të veçanta sigurimi. Gjatë lidhjes së kontratës së sigurimit të jetës gjithmonë jini të sinqertë kur plotësoni pyetësorët që ju jepen. Përgjigjja juaj e sinqertë është vendimtare për:
- përcaktimin e mbulimit që do t’i plotësojë plotësisht nevojat tuaja për sigurim
- përcaktimin e primit real për atë mbulim
- shmangien e pasojave të padëshiruara lidhur me pagesën e shumës së siguruar, nëse në të ardhmen konstatohet se informacionet e dhëna në pyetësor nuk ishin të besueshme.
Shoqëritë e sigurimit të jetës i investojnë mjetet që të siguruarit e tyre ua besojnë në formë primi në vendosje të sigurta dhe pa rrezik. Investimi i mjeteve i nënshtrohet kontrollit të veçantë nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve. Të siguruarit e sigurimit të jetës, në rastet e përcaktuara me kushtet e sigurimit, kanë të drejtë të marrin pjesë në fitimin që shoqëritë e sigurimit e realizojnë nga investimi i mjeteve të mbledhura përmes primit të sigurimit.
Detyrimi për informimin e të siguruarve si persona fizikë, pra të konsumatorëve, gjatë lidhjes së kontratës së sigurimit, duhet të jetë me shkrim dhe të përmbajë informacione për sa vijon:
→ emërtimin, statusin juridik, selinë dhe adresën e shoqërisë së sigurimit, si dhe degën përmes së cilës është lidhur kontrata e sigurimit;
→ emërtimin, statusin juridik, selinë, adresën dhe telefonin e kontaktit të shoqërisë së përfaqësimit në sigurim ose të shoqërisë së ndërmjetësimit në sigurim, në rastin kur kontrata e sigurimit është lidhur përmes shoqërisë së përfaqësimit në sigurim ose shoqërisë së ndërmjetësimit në sigurim;
→ kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të policave që zbatohen për të siguruarin
dhe siguruesin dhe ligjin që e rregullon kontratën e sigurimit;
→ rastet në të cilat kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të policës nuk zbatohen në marrëdhënien midis siguruesit dhe të siguruarit, kryerjen, vëllimin dhe afatin e detyrimeve të shoqërisë së sigurimit;
→ periudhën e vlefshmërisë së kontratës së sigurimit;
→ shumën e primit, si dhe ndarjen e primit sipas rreziqeve të veçanta (nëse me kontratën e sigurimit mbulohen rreziqe që rrjedhin nga disa klasa sigurimi) dhe shumat e tatimeve, taksave dhe shpenzimeve të tjera në bazë të primit dhe shumën totale që duhet paguar;
→ të drejtën e shtyrjes ose ndërprerjes së kontratës së sigurimit;
→ referimin te Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, si organ kompetent për mbikëqyrjen e shoqërisë së sigurimit, te e cila mund të paraqitet ankesë në lidhje me shoqëritë e sigurimit dhe shoqëritë e ndërmjetësimit në sigurim, shoqëritë e përfaqësimit në sigurim dhe përfaqësuesit në sigurim;
→ mënyrën e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim te shoqëria e sigurimit dhe, në rastin kur kontrata e sigurimit është lidhur përmes shoqërisë së ndërmjetësimit në sigurim, informimin e të siguruarit për mundësinë që të kërkojë ndihmë nga shoqëria e ndërmjetësimit në sigurim në rast të ndodhjes së ngjarjes së siguruar;
→ mënyrën e paraqitjes së kundërshtimit, përkatësisht ankesës kundër punës së shoqërisë së sigurimit, shoqërisë së përfaqësimit në sigurim, përkatësisht shoqërisë së ndërmjetësimit në sigurim dhe mënyrën e zgjidhjes jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve midis palëve kontraktuese dhe
→ organin kompetent për mbikëqyrjen e punës së shoqërisë së sigurimit.
Gjatë periudhës së vlefshmërisë së kontratës së sigurimit, shoqëria e sigurimit, shoqëria e ndërmjetësimit në sigurim, shoqëria e përfaqësimit në sigurim ose përfaqësuesi në sigurim janë të detyruar ta informojnë të siguruarin për:
– Ndryshimin e emërtimit, të statusit juridik, të selisë ose të adresës së shoqërisë së sigurimit, ose të degës përmes së cilës është lidhur kontrata e sigurimit, përmes mjeteve të informimit publik.
– Ndryshimin e të dhënave që është pasojë e ndryshimit të disa rregulloreve.
Gjatë periudhës së vlefshmërisë së kontratës së sigurimit, shoqëria e sigurimit, shoqëria e ndërmjetësimit në sigurim, shoqëria e përfaqësimit në sigurim ose përfaqësuesi në sigurim janë të detyruar që një herë në vit t’i informojnë të siguruarit për pjesëmarrjen e tyre në fitim.
Teksti i Kushteve të përgjithshme dhe të veçanta të policave dhe i njoftimit që duhet t’u jepet të siguruarve, duhet të hartohet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme në gjuhën maqedonase.
Shoqëria e sigurimit është e detyruar që në faqen e saj të internetit t’i publikojë kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të sigurimit, si dhe ndryshimet e tyre, brenda pesë ditëve nga miratimi i tyre.
- ngjarjet në bazë të të cilave lind detyrimi i shoqërisë së sigurimit për pagesa që rrjedhin nga kontrata e sigurimit, si dhe ngjarjet për shkak të të cilave detyrimi i shoqërisë së sigurimit për pagesë pushon;
- mënyra e kryerjes, vëllimi dhe afati i detyrimeve të shoqërisë së sigurimit;
- shuma dhe kushtet e pagesës së primit, si dhe pasojat juridike në rast mospagese;
- periudha e vlefshmërisë së kontratës së sigurimit, në të cilën veçanërisht duhet të shënohet: 4.1. mënyra e rinovimit automatik të kontratës së sigurimit, 4.2. mënyra në të cilën kontrata e sigurimit mund të anulohet, të ndërpritet pjesërisht ose plotësisht, si dhe detyrimet e shoqërisë në ato raste;
- pasojat e kërkesave që rrjedhin nga kontratat e sigurimit në rast të mospërmbushjes së afateve të parashikuara;
- emri i përfaqësuesit në sigurim, emërtimi i shoqërisë së përfaqësimit në sigurim, përkatësisht i shoqërisë së ndërmjetësimit në sigurim, nëse kontrata e sigurimit është lidhur përmes përfaqësuesit, shoqërisë së përfaqësimit, përkatësisht shoqërisë së ndërmjetësimit në sigurim;
- veprimet e nevojshme që duhet t’i ndërmarrë i siguruari në rast të ndodhjes së ngjarjes së siguruar për realizimin e kërkesës për dëmshpërblim te shoqëria e sigurimit;
- në lidhje me sigurimin e jetës, afatet dhe kushtet, si dhe vëllimi i pagesave paraprake sipas policave të sigurimit, afatet dhe kushtet që lidhen me pjesëmarrjen e të siguruarve në fitimin e shoqërisë së sigurimit, si dhe kriteret për llogaritjen e pjesëmarrjes së tyre dhe kushtet e metodat për llogaritjen dhe pagesën e vlerës së shpërblimit (surrender).
- Shoqëritë e sigurimit,
- Shoqëritë e ndërmjetësimit në sigurim,
- Shoqëritë e përfaqësimit në sigurim,
- Përfaqësuesit në sigurim,
- Bankat – përmes përfaqësuesve të tyre të autorizuar.
Sigurimi blihet për mbrojtje nga ngjarjet e pafavorshme që mund t’ju ndodhin juve ose të afërmve tuaj, në mënyrë që të mos futeni në vështirësi serioze financiare.
Blerja e një kontrate sigurimi është një vendim shumë i rëndësishëm!
Duhet të informoheni sa më shumë që të jetë e mundur përpara se të zgjidhni se cili produkt ose shërbim sigurimi i përshtatet më së miri profilit tuaj të rrezikut.
Gjatë zgjedhjes së produktit të sigurimit është e rëndësishme t’i bëni vetes këto pyetje:
- Çfarë është sigurimi?
- Cilat janë përfitimet e sigurimit?
- A i kuptoni rreziqet që mbulohen me llojin e sigurimit që po e blini?
- A i njihni mirë kushtet sipas të cilave lidhet kontrata e sigurimit?
- A jeni të informuar për të drejtat dhe detyrimet tuaja që rrjedhin nga lidhja e kontratës së sigurimit?
- A janë mbrojtur si duhet të drejtat dhe interesat tuaja si i siguruar dhe përfitues i sigurimit?
- A jeni të sigurt që mund ta paguani primin?
- Para dhe gjatë blerjes së kontratës së sigurimit konsultohuni me një person të autorizuar.
Shumë e rëndësishme
- Qëllimi i sigurimit është transferimi i rrezikut që mund të shkaktojë dëm material dhe jomaterial nga individi te shoqëria, duke lidhur një kontratë sigurimi (policë).
- Përpara lidhjes së kontratës së sigurimit, shoqëria e sigurimit është e detyruar që në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të ndershme t’i japë konsumatorit informacione të sakta, të plota, të kuptueshme dhe të dobishme lidhur me objektin e kontratës së sigurimit, karakteristikat e produktit ose të shërbimit, t’ia paraqesë kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të sigurimit, pagesën e detyrimeve, si dhe çdo informacion tjetër të kërkuar nga konsumatori, përkatësisht i siguruari.
- Mjetet që të siguruarit ua besojnë shoqërive të sigurimit në formë primi, shoqëritë i investojnë në vendosje të sigurta dhe pa rrezik.
- Kur ndodh dëmi (ngjarja e siguruar), shoqëria e sigurimit është e detyruar ta paguajë shumën e siguruar, përkatësisht ta paguajë dëmshpërblimin e të siguruarit në përputhje me kontratën e sigurimit.
- Kur paraqisni dëm te shoqëria e sigurimit, dorëzoni të gjitha dokumentet e nevojshme për vendosjen dhe pagesën e dëmit.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve e kontrollon punën e shoqërive të sigurimit, kujdeset për shëndetin e tyre financiar dhe i mbron interesat e të siguruarve, përfituesve të sigurimit dhe personave të tretë të dëmtuar.
Sigurimi jo-jetësor
Kontratat e sigurimit që nuk i përkasin grupit të sigurimit të jetës quhen kontrata të sigurimit jo-jetësor. Produktet kryesore të sigurimit jo-jetësor janë:
- sigurimi i detyrueshëm në qarkullim (më i përhapuri është sigurimi nga përgjegjësia e automjeteve)
- sigurimi i automjeteve motorike
- sigurimi i shtëpisë
- sigurimi i udhëtarëve
- sigurimi i sendeve personale
- sigurimi nga pasojat e aksidentit
- sigurimi shëndetësor
- sigurimi nga përgjegjësia etj.