Është mbajtur konkursi kombëtar i Kuizit Evropian të Parave
Gati 500 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nga i gjithë vendi morën pjesë në konkursin kombëtar të Kuizit Evropian të Parave, i cili, si në vendet e tjera evropiane, u mbajt përmes platformës elektronike Kahoot!
Kuizi është një projekt i Federatës Evropiane Bankare dhe synon të motivojë shkollat dhe stafin mësimdhënës në Evropë që të investojnë edhe më shumë në edukimin financiar të nxënësve të moshës 13 deri në 15 vjeçare. Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, si dhe institucionet e tjera rregullatore, secila në kompetencat e tyre, ofroi mbështetje të pakufizuar në përgatitjen e testeve dhe pyetjeve në segmentin e sigurimeve dhe mbikëqyrjen e sigurimeve.
– Vendin e parë e fitoi Edon Hambari nga shkolla fillore “Ismail Qemali” nga Shkupi, nën mentorimin e Merita Tairit.
– Vendin e dytë e fitoi Andrej Shumanski nga shkolla fillore “Kiril Pejçinoviq” nga Shkupi, nën mentorimin e Aleksandra Boshkovska-Spasovskës.
– Vendin e tretë e fitoi Antonio Jordanoski në shkollën fillore “Rampo Levkata” nga Prilepi, nën mentorimin e Ilço Jordanoskit.
Për shkak të gjendjes me pandeminë Kovid-19, këtë vit garat kombëtare në disa vende evropiane, përfshirë edhe këtu tek ne, u mbajtën në një mënyrë ndryshe nga viti i kaluar – me pjesëmarrje online dhe paraqitje individuale të nxënësve, pa ekipe. Para konkursit, testimi i brendshëm në shkolla ka përfshirë rreth 5500 nxënës, gjë që konfirmon se për momentin kjo është ngjarja më masive e një karakteri konkurrues-arsimor të destinuar për të rinjtë, që organizohet në vendin tonë.
Mbyllja zyrtare e Kuizit Evropian të Parave për vitin 2020 do të mbahet online, më 16 qershor, me një finale të madhe në gjuhën angleze në të cilën, përveç nxënësve, janë të ftuar edhe mentorë, prindër dhe të gjithë personat e tjerë të interesuar për edukimin financiar. Në këtë event do të paraqiten fituesit e garave kombëtare për të rinjtë e moshës 13-15 vjeçare, duke përfshirë edhe Edon Hambarin ndërsa Federata Evropiane Bankare do të promovojë Raportin e saj për Arsimimin Financiar në Evropë.
Përvojat që institucionet financiare po fitojnë gjatë krizës së koronës konfirmojnë edhe një herë rëndësinë e investimit në edukimin financiar dhe në inkurajimin e përfshirjes më të madhe financiare të popullatës. Të gjitha institucionet që marrin pjesë dhe mbështesin mbajtjen e Kuizit Evropian të Parave në vendin tonë, vazhdojnë aktivitetet e tyre në këtë fushë dhe në dimensionimin e disa prej aktiviteteve do të përdoren dhe përvojat e fituara në këtë periudhë.
Fituesit të konkursit kombëtar të Kuizit Evropian të Parave, si dhe nxënësve që fituan vendin e dytë dhe të tretë dhe mentorëve të tyre do t’u jepen çmime.