AMS: NUMRI I ANKIMIMEVE NGA POLICËMBAJTËSIT E PAKËNAQUR U RRIT ME 56 PËR QIND

Për tre muajt e parë të këtij viti, në AMS janë dorëzuar 36 ankimime nga policëmbajtës ose persona të siguruar që nuk janë të kënaqur me punën e shoqërive të sigurimeve nga të cilat kanë blerë policat e sigurimeve.

Numri i ankimimeve të paraqitura nga policëmbajtës  të pakënaqur me shërbimet e shoqërive nga të cilat ata blenë policat e sigurimit është rritur me 56 për qind, tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë së Mbikëqyrjes të Sigurimeve (AMS) për tre muajt e parë të këtij viti. Sipas Ligjit për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, çdo person i siguruar ka të drejtë të paraqesë një ankimim në AMS nëse ai/ajo nuk është i kënaqur me punën e  shoqërisë nga e cila ai/ajo e ka blerë policën e sigurimit.

Për periudhën janar-mars, policëmbajtësit kanë paraqitur një total prej 36 ankimimesh kundër shoqërive të sigurimeve krahasuar me 23 ankimime të paraqitura në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga ankimimet e paraqitura, AMS-ja në katër raste ka vendosur në favor të policëmbajtësve që ishin parashtrues të ankimimeve, për 17 raste procedura po vazhdon dhe për dy ankimime u përcaktua se ato ishin dorëzuar pa arsye për procedurim.

Në nëntë raste arsyeja e ankimimit ka qenë vlera e dëmshpërblimit  të ofruar për të kompensuar dëmin. Këto ankimime nuk janë proceduruar sepse AMS-ja nuk mund të vendosë mbi vlerën e kompensimit të ofruar. Tre nga të gjitha ankimimet e paraqitura janë zgjidhur në favor të shoqërive.

Në tre muajt e parë, 30 persona fizikë dhe gjashtë persona juridikë kanë parashtruar ankimime.

Sa i përket llojit të sigurimit, shumica e ankimimeve – 13 janë parashtruar për dëme të auto-përgjegjësisë (sigurim i detyrueshëm). Për arkëtime nga dëmet të mbuluara nga sigurimi i aksidenteve, u parashtruan 10 ankimime,  ndërsa pesë kishin të bënin me persona të siguruar të pakënaqur me sigurimin e pasurisë. Tri ankimime janë për sigurimin e jetës dhe nga një për sigurimin e shëndetit në udhëtim, sigurimin  kasko dhe sigurimin bujqësor.

Shumica e personave të siguruar, gjithsej 13, u ankuan për kriterin e pagimit të dëmeve. Nëntë për vlerën e kompensimit të ofruar, katër reaguan ndaj trajtimit  të dëmit, nga një ankimim  ka për afatin e pagesës, përgjigjen ndaj ankimimit dhe vlerës së rekursit/regresit. Pesë ankimime janë parashtruar për pesë arsye të tjera.

Në sektorin e sigurimeve jo-jetë, janë parashtruar tetë ankimime kundër shoqërisë të sigurimeve “Unika”, shtatë kundër “Viner Jo-Jetë”, pesë kundër “Grave Jo-Jetë”, nga dy kundër “Halk Osiguruvanje”, “Euroins” dhe “Eurolink”. Nga një ankimim u parashtrua për, “Sava”, “Triglav”, “Kroacija Jo-Jetë”, “Osiguruvanje polisa” dhe për Byronë Kombëtare të Sigurimeve. Për shoqëritë e sigurimeve të jetës për “Kroacija Osiguruvanje -Jetë” janë parashtruar tre ankimime. Në këtë periudhë nuk ka ankimime për “ADOR Maqedoni”, “Grave Jetë”, “Unika Jetë”, “Triglav Jetë” dhe “Viener Jetë”.

Në AMS parashtrohet ankimim nëse i siguruari nuk është i kënaqur me përgjigjen që ka marrë nga shoqëria e sigurimeve për arkëtimin e dëmit ose nuk ka marrë përgjigje brenda 30 ditësh. AMS-ja nuk shqyrton ankimime anonime ose çështjet për të cilat zhvillohen procedura gjyqësore apo procedura të tjera.

 

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ rregullator i pavarur, i cili rregullon tregun e sigurimeve, kryen mbikëqyrje të aktivitetit të shoqërive të sigurimeve  dhe kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të personave të siguruar ose policëmbajtësve dhe kontribuon në edukimin financiar të popullatës.